Secondary Adv

FSHZH shpall fituesit e tenderit 7.8 mln euro, ndërhyrje në rrugët e gjashtë qarqeve

Katër kompani fitojnë tenderin e FSHZH-së për rehabilitimin e rrugëve në gjashtë qarqe, me ofertë 41 për qind nën fondin limit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka shpallur fituesit e tenderit për përmirësimin e shtresave asfaltike në gjashtë qarqe të vendit, me një ofertë fituese prej 734.4 milionë lekësh, ose rreth 7.8 milionë euro. Kontrata është fituar nga një bashkim i katër kompanive, të cilat kanë paraqitur një ofertë rreth 41 për qind më të ulët se fondi limit i procedurës.


Sipas njoftimit të publikuar më 13 tetor, bashkimi i kompanive “Shkëlqimi 07”, “R.S.&M”, “Grand Konstruksion M” dhe “FLED” është shpallur fitues i procedurës me objekt “Ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike – Faza V”. Projekti përfshin ndërhyrje në qarqet Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër.


Fondi limit i tenderit ishte përcaktuar në 1.25 miliardë lekë, ose rreth 13.3 milionë euro, pa TVSH. Oferta fituese rezulton rreth 515.6 milionë lekë më e ulët se vlera e fondit limit.


12 operatorë në garë, bashkimi i katër kompanive siguron 292.8 pikë

Në procedurën e prokurimit morën pjesë gjithsej 12 operatorë dhe bashkime operatorësh ekonomikë. Pas vlerësimit të ofertave, bashkimi i kompanive “Shkëlqimi 07”, “R.S.&M”, “Grand Konstruksion M” dhe “FLED” u rendit në vendin e parë, duke siguruar 292.8 pikë në vlerësimin përfundimtar.


Në vendin e dytë u rendit kompania “Alb-Star”, e cila paraqiti një ofertë financiare prej 740.9 milionë lekësh dhe mori 263.1 pikë. Diferenca ndërmjet dy ofertave financiare ishte rreth 6.5 milionë lekë, ndërsa bashkimi fitues siguroi një rezultat më të lartë në vlerësimin përfundimtar.


Ndërhyrje në rrugët e Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës, Fierit dhe Gjirokastrës

Sipas raportit teknik të projektit, punimet do të përqendrohen në rehabilitimin e segmenteve rrugore ku janë evidentuar dëmtime të shtresave asfaltike dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve.


FSHZH parashikon që segmentet ku do të kryhen ndërhyrjet të përzgjidhen pas verifikimeve në terren, duke marrë në konsideratë gjendjen teknike të infrastrukturës, si dhe kërkesat dhe prioritetet e njësive të vetëqeverisjes vendore.


Prioritet do t'u jepet gjithashtu rrugëve që lidhin zonat turistike dhe territoret me potencial për zhvillim ekonomik, me synimin për të përmirësuar aksesin dhe kushtet e qarkullimit në këto zona.


Çfarë punimesh parashikon projekti i rehabilitimit të rrugëve?

Ndërhyrjet e planifikuara përfshijnë frezimin e asfaltit ekzistues, vendosjen e shtresave të reja asfaltike dhe përforcimin e strukturës rrugore në segmentet ku janë konstatuar dëmtime më të thella. Projekti parashikon gjithashtu sistemimin e kanaleve kulluese dhe bankinave, me qëllim përmirësimin e funksionalitetit dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës rrugore.


Në varësi të gjendjes teknike të akseve, punimet mund të variojnë nga riparime sipërfaqësore deri te rindërtimi i plotë i shtresave rrugore në segmentet me dëmtime të konsiderueshme.


Një pjesë e ndërhyrjeve do të përqendrohet edhe në përmirësimin e sistemit të kullimit të ujërave, veçanërisht në zonat e banuara dhe në segmentet rrugore me pjerrësi të madhe. Për këtë qëllim parashikohet ndërtimi i kunetave, bordurave dhe elementeve të tjera të sistemit të drenazhimit, për të shmangur grumbullimin e ujërave dhe dëmtimin e mëtejshëm të shtresave asfaltike.


Marrëveshje kuadër 24-mujore, financimi për periudhën 2026-2028

Procedura e prokurimit është zhvilluar në formën e një marrëveshjeje kuadër me kohëzgjatje 24 muaj, ndërsa financimi i projektit është parashikuar në programet buxhetore për periudhën 2026-2028.


Kjo formë kontraktimi parashikon realizimin e ndërhyrjeve sipas nevojave të identifikuara në terren dhe prioriteteve të përcaktuara nga FSHZH, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore.


Me përfundimin e procedurës së vlerësimit dhe shpalljen e fituesve, projekti hyn në fazat e mëtejshme të kontraktimit, përpara nisjes së punimeve në segmentet rrugore që do të përzgjidhen në gjashtë qarqet e përfshira.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat